Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të re strategjike që i jep Uashingtonit akses preferencial në mineralet kritike të Ukrainës dhe krijon një fond të përbashkët investimi për rindërtimin e vendit pas luftës.
Marrëveshja, e promovuar fuqishëm nga presidenti amerikan Donald Trump, u nënshkrua të mërkurën në Uashington, pas muajsh negociatash që sipas burimeve janë zhvilluar me vështirësi të herëpashershme.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministrja e parë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, firmosën marrëveshjen, një foto e së cilës u publikua në rrjetin social X nga Departamenti i Thesarit. Në postim thuhet se marrëveshja “dërgon një sinjal të qartë për angazhimin e administratës Trump ndaj një Ukraine të lirë, sovrane dhe të begatë.”
Kjo marrëveshje konsiderohet si një hap thelbësor në përpjekjet e Ukrainës për të forcuar marrëdhëniet me presidentin Trump dhe Shtëpinë e Bardhë, pas një periudhe tensionesh që nga fillimi i mandatit të tij në janar.
Gjithashtu, ajo shënon një pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të presidentit Trump për të arritur një zgjidhje për luftën trevjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas kushteve të marrëveshjes, SHBA do të ketë qasje të privilegjuar në kontratat e reja për mineralet e Ukrainës – një vend i pasur me elementë të rrallë dhe burime të tjera kritike – ndërsa fondi i përbashkët i investimeve do të fokusohet në projekte të infrastrukturës dhe rimëkëmbjes ekonomike.
Analistët e shohin këtë marrëveshje si një sinjal për një qasje të re të SHBA-së ndaj rindërtimit pas luftës dhe angazhimit afatgjatë në Evropën Lindore.