Një deklaratë e bujshme ka ardhë nga një virologe kineze që u largua në fshehtësi nga Kina për në SHBA, nga frika se mund të vritej.
Ajo shprehet se virusi vdekjeprurës që po shkakton mijëra viktima në mbarë botën e ka origjinën nga një laborator ushtarak.
Specialistja e virologjisë në shkollën e Shëndetit Publik në Hong Kong, Li Meng-Yan deklaron se është e bindur se COVID-19 ka lidhje me një laborator që është nën kontrollin e ushtrisë kineze.
Prej kohësh Kina është nën sulmin e shumë vendeve të cilat e akuzojnë se ka fshehur të vërtetën rreth ditëve të para të përhapjes së pandemisë, akuza të cilat i ka mohuar kategorikisht.
Megjithatë, doktoresha Li siguron se ka zbuluar që pandemia e kishte origjinën nga ky laborator, ndërsa ishte duke studiuar transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu. Ajo shprehet për mediat britanike se gjetjet e saj nuk u morën seriozisht nga drejtuesi i saj.
“Kisha arritur në përfundime të qarta se virusi kishte dalë nga një laborator i ushtrisë së Partisë Komuniste. Tregu i kafshëve të egra në Wuhan ishte vetëm diçka për ta tërhequr vëmendjen”, tha Li.
Më tej ajo tregon se kishte pasur frikë për jetën e saj nëse do të fliste për zbulimet tronditëse dhe për këtë arsye vendosi të arratisej për në SHBA përmes Hong Kongut në muaj prill”.
“E dija se që në momentin e parë që do të flisja, mund të zhdukesha, njësoj si protestuesit në Hong Kong”, përfundoi doktoresha kineze.