Ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ka njoftuar më 07.11.2024 se është liruar nga të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Buja tha se këtë javë ka marrë konfirmimin zyrtar se në mungesë provash janë mbyllur hetimet që sipas tij kanë zgjatur për pesë vjet.
“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastertinë dhe lavdine e UÇK-së” – ka shkruar Buja në Facebook.
Sipas Bujës, ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare.
“Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë” – ka theksuar Shukri Buja, i cili ka dëshmuar në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, emri i Shukri Bujës ishte përfshirë si pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Gjatë kohës së luftës (1998/1999), Shukri Buja ka qenë komandant i Zonës Operative të Nerodimes.