Llapi dhe Gjilani do të kërkojnë sot me çdo kusht vazhdimin e garave evropiane. Skuadrat kosovare zbresin në tapetin e gjelbër për të zhvilluar ndeshjet kthyese të rrethit të parë të Conference League.
Fituesi i Kupës pritet me kërshëri të madhe nga adhuruesit shqiptar, të cilët tanimë e kanë bërë mision thuajase të pamundur gjetjen e biletave. Llapjanët do kenë punë shumë të vështirë përballë Budoçnostit të Podgoricës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Skuadra e Tahir Batatinës, kanë humbur ndeshjen e parë me rezultat 2:0 dhe synojnë rikthimin e madh sonte mbrëma. Takimi nis në ora 20:00 në Prishtinë.
Ndërkaq, pas fitores 1:0, në kryeqytetin tonë, Gjilani sot e zhvillon takimin në udhëtim.
Gjilanasit kanë udhëtuar drejt Letonisë për ta luajtur ndeshjen e dytë ndaj Liepajas.
Skuadra e udhëhequr nga trajnerit Zekirija Ramadani ka fituar ndeshjen e parë në Prishtinë me rezultat minimal (1:0), por që në përballje të tilla konsiderohet kapital i madh.
“Skifterat” synojnë të mos mposhtën në Letoni nga Liepaja për të kaluar tutje.
Ndeshja mes Liepajas dhe Gjilanit zhvillohet me fillim nga ora 16:00 me kohën tonë lokale.