Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vitin 2019 po përgatitej që për herë të parë partia e tij të dilte e para në zgjedhjet parlamentare.
Njeriu i parë i VV’së ishte kujdesur që në vapën e gushtit të atij viti, të sapo aderuarin, Haki Abazin, ta priste më ngrohtë.
“Haki Abazi na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tone”, kishte shkruar Kurti në Facebook, më 20 gusht teksa fliste për një aderim të madh dhe pritjen ia bëri bashkë me disa zyrtarë të VV-së.
Ashtu deklarohej Kurti, dhe besimi i tij në Abazin shkoi aq larg sa më 6 janar 2020, kur ende nuk dihej nëse koalicion VV-LDK do të realizohej, Kurti prezantoi emrat e kabinetit të tij. Abazi ishte aty – i dyti, pas Kurtit.
I njohur edhe si kritik i VV-së, Haki Abazi mori hisen e tij në pushtet – që cili zgjati pak muaj – për t’u rrëzuar pas përplasjeve me LDK’në partnere.
Në Qeverinë “Kurti 2”, vendin e Abazit e zuri Besnik Bislimi – që vazhdon ta ketë akoma.
Pikërisht “përplasja” e parë e Abazit brenda radhëve të VV’së ishte me Besnik Bislimin, më 5 maj 2021, në Komisionin për Punë të Jashtme.
Bislimi po fliste për dialogun me Serbinë dhe erdhi pyetja e prerë e Abazit – a ka pasur diskutime për Asociacionin me kompetenca ekzekutive.
“Ne po kërkojmë informacion për vizitën në Bruksel, për çështjen e dialogut. Por kjo në parashtesë të saj kërkon një informacion për punën e përgatitjes së asaj për të cilën është biseduar lidhur me dialogun”, kishte deklaruar Abazi.
I “ngufatur” nga VV, Abazi në mënyrë protestuese nisi të mbajë konferenca cdo javë ku jepte mendimet e tij për zhvillimet pasi brenda grupit parlamentar s’kishte mikrofon për të.
Gjatë tetorit të vitit 2022, Haki Abazi kishte deklaruar se “s’ka asgjë personale me Albin Kurtin”, duke thënë se nuk lidhet asgjë me mos dhënien e postit të zëvendëskryeministrit.
Kritika e Abazit ishte shtruar ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që sipas deputetit të “rebeluar”, po “i minon” diskutimet brenda partisë më të madhe në Kosovë.
Që ndarja përfundimtare e Abazit me Lëvizjen Vetëvendosje po vjen tregoi intervista e Abazit në “Pressing” të T7, ku hodhi edhe më shumë kritika në drejtim të partisë së tij.
Diskursi kritikues i Abazit pos çështjes së brendshme partiake ishte zgjeruar edhe në tematika qendrore si politika e jashtme dhe energjia.
Por, divergjencave me Abazin, Vetëvendosje vendosi t’u jepte fund.
Haki Abazi, më 15 shkurt tregoi se me urdhrin politik të Albin Kurtit “është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme”.
Paralajmëroi edhe audio-incizime, duke thirrur në një konferencë për media. Abazi doli para gazetarëve për të treguar çfarë është duke ndodhur me fatin e tij në Vetëvendosje.
Para se ta niste konferencën zilja e Kuvendit filloi të rrihte – në media u pretendua se “Kuvendi donte ta pengonte konferencën e Abazit”.
Megjithatë, Abazi e dha fjalën e tij, tregoi se ka audio-incizime që tregojnë për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, disa muaj më parë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Audio-incizimet nuk u publikuan, por tash Prokurorisë i është hapur rruga. Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se “do ta ftojë Abazin për intervistim”.
Në një prononcim për Gazetën Express, Abazi ka thënë se “është i hapur gjithmonë për drejtësinë”.
Vetëvendosja e shkarkoi Haki Abazin, veçse çështja nuk është mbyllur – temat e hapura nga Abazi e kanë marrë dheun.
Opozita e ka aktivizuar temën – e quan shqetësuese ”implikimin“ e mundshëm të VV-së në rastin Dehari.
Tash, gjithçka është në duart e prokrurorisë.