I pari i FFK-së, Agim Ademi ka nderuar me fanella të Kombëtares së Kosovës dy ish-trajnerët e njohur, Miroslav Çira Bllazheviq dhe Fuad Muzuroviq, në spektaklin e futbollit në Travnik, disa ditë më parë,ku u ballafaquan Veteranët e Bosnje Hercegovinës dhe Veteranët e Kroacisë.
E ky veprim i kreut të FFK-së ka bërë bujë edhe në mediat e Bosnjës. Portali Sportske.ba ka shkruar për këtë nderim që iu bë dy ikonave të futbollit ballkanas.
“Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe një nga drejtuesit më të suksesshëm në këtë pjesë të Evropës, iu ka dërguar nga një dhuratë të veçantë, Çiros dhe Muzurës. Me fanellat e Kosovës, Ademi ka falënderuar dy ekspertët për menaxhimin e suksesshëm të Prishtinës dhe afirmimin e futbollit kosovar. Fanellat u sollën nga Prishtina nga Daut Cenaj, babai i Drilonit ish- shpresës së FC Sarajevës dhe një reprezentues i BeH në Hungari”, shkruan në artikullin e sotëm Sportske.ba, raporton Futbolli.info.
Ky portal ka përcjellë edhe mesazhin e trajnerit boshnjak, Fuad Muzuroviq. “Faleminderit miqve të mi në Kosovë që na bënë të lumtur mua dhe Çirën. Kemi kaluar disa vite të paharrueshme në Kosovë. Nga Prishtina mbajmë kujtime për tërë jetën. Shpresoj që së shpejti ta vizitoj Prishtinën dhe Federatën e Futbollit të Kosovës”, tha Muzuroviq dhe falënderoi Ademin edhe në emër të Çiro Bllazheviqit.
Po ashtu, Sportske.ba ka bërë të ditur se Arsim Prepolli, ish-sulmuesi i Bosnjës, Sarajevës dhe Zhelezniçarit, ka përcjellë dëshirën e presidentit Ademi që në një nga ndeshjet e radhës të Kombëtares së Kosovës t’i mirëpresë në Prishtinë, Bllazheviqin dhe Muzuroviqin.