Suspendohet nga puna zyrtarja policore që u vetëplagos në Prizren, ndaj saj është iniciuar procedurë penale.
Mësojet se zyrtarja policore Elsa Çololar është suspenduar nga detyra me vendim të Policisë së Kosovës, në pritje të përfundimit të procedurave hetimore dhe disiplinore.
Burime të sigurta të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ndaj saj është iniciuar edhe procedurë penale për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të punës, brenda shtëpisë së saj, derisa ajo ishte duke manipuluar me armën e shërbimit – Glock.
Siç raportuam më herët, arma është shkrepur aksidentalisht dhe zyrtarja është plagosur në këmbë. Ajo ndodhet ende në spital nën përkujdesje mjekësore, por fatmirësisht gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet ndaj saj janë duke u zhvilluar nga njësitë përkatëse në koordinim me Prokurorinë kompetente. Vendimi për suspendim është marrë në përputhje me rregulloret e brendshme të Policisë së Kosovës që parashohin masa të menjëhershme në raste të tilla.