Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se vala e të nxehtit që po dominon këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme.
Sipas IKSHPK-së, periudhat e zgjatura me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të akumuluar në trup dhe rrisin rrezikun për sëmundje apo vdekje nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.
Për këtë, IKSHPK jep këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta.
“Qëndroni larg të nxehtit, shmangni daljet jashtë dhe aktivitetet e rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës. Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10–15 celsius më të larta. Kaloni 2–3 orë gjatë ditës në një vend të freskët. Jini të vetëdijshëm për rreziqet dhe qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare mbi temperaturat e larta. Po ashtu mbajeni shtëpinë tuaj të freskët, Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë duke hapur dritaret në mbrëmje, kur temperatura e jashtme është më e ulët.Gjatë ditës, kur temperaturat janë më të larta jashtë, mbyllni dritaret dhe mbulojini me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit dhe Fikni sa më shumë pajisje elektrike”, shkruan IKSHPK.
Po ashtu sipas IKSHPK-së, qytetarët duhet të mbajnë trupin të freskët dhe të hidratuar, me veshje të rrobave të lehta, të lirshme dhe nga pambuku.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të jenë nga trembëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë gradë Celsius (13-18°C), ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 28 dhe 33 gradë Celsius (28-33°C).