Zelenskyy takon Trump në Shtëpinë e Bardhë: Kërkon mbështetje për sigurinë e Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, u takua me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në një moment kyç për vendin e tij, ku synon të sigurojë mbështetje nga SHBA për sigurinë e Ukrainës ndaj agresionit të mundshëm rus.
Gjatë vizitës në Uashington, delegacioni i Zelenskyy-t pritet të nënshkruajë një marrëveshje të rëndësishme ekonomike me Shtetet e Bashkuara, e cila do të ndihmojë në financimin e rindërtimit të Ukrainës pas luftës dhe do të forcojë lidhjet mes dy vendeve për vitet në vijim.
Tension mes Zelenskyy-t dhe Trump
Zelenskyy paralajmëroi Trump-in se premtimet e Vladimir Putin-it nuk janë të besueshme, duke përmendur historinë e tij me marrëveshje të thyera.
Trump, nga ana tjetër, tha se Putin nuk ka shkelur marrëveshje me të.
“Duhet të jesh më mirënjohës,” i tha Trump Zelenskyy-t, duke theksuar se lideri ukrainas po rrezikon Luftën e Tretë Botërore.
Zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, një nga zërat më skeptikë të administratës për Ukrainën, e akuzoi Zelenskyy-n për mungesë respekti, pasi ai debatoi me Trump-in përpara mediave amerikane në Zyrën Ovale.
“A ke thënë ndonjëherë ‘faleminderit’?” – e pyeti Vance presidentin ukrainas.
Marrëveshja ekonomike dhe burimet natyrore të Ukrainës
Trump vlerësoi guximin e ushtarëve ukrainas dhe theksoi rëndësinë e marrëveshjes ekonomike mes SHBA dhe Ukrainës.
“Kjo është një angazhim i madh nga SHBA,” tha Trump, duke theksuar se Ukraina ka rezerva të pasura të mineraleve të rralla, të cilat mund të shërbejnë për teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe armët ushtarake të SHBA-së.
Nga ana tjetër, Zelenskyy theksoi potencialin e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës, por kundërshtoi me butësi pohimin e Trump-it se Evropa ka bërë më pak se SHBA për të ndihmuar Ukrainën.
Zelenskyy: “Nuk ka kompromise me një vrasës”
Zelenskyy e quajti Putin-in një vrasës dhe terrorist, duke theksuar se nuk duhet të ketë kompromise me të. Ai solli fotografi të printuara për t’ia treguar Trump-it, por gazetarët e pranishëm nuk mundën t’i shihnin ato. /noa.al/ me të dhëna nga AP, NYT/