Një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë lënduar pas një aksidenti të rëndë trafiku në Komoran, në rrugën Pejë–Prishtinë, të hënën mbrëma.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi për Gazetën Sinjali se dhjetë persona po marrin trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre – përfshirë një në gjendje veçanërisht të rëndë – janë nën kujdes intensiv.
Aksidenti ndodhi rreth orës 18:20, ku u përfshinë gjashtë automjete pranë urës në udhëkryq. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, menjëherë pas raportimit, njësitë policore, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendin e ngjarjes për të ofruar ndihmë dhe për të menaxhuar trafikun.
Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se detaje të tjera do të publikohen më vonë.