Donald Trump u pyet në Shtëpinë e Bardhë për raportin e komisionit të pavarur të Kombeve të Bashkuara, ku thuhet qartë se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës.
Presidenti amerikan u përgjigj duke përshkruar sulmin e Hamasit më 7 tetor si “gjenocid në nivelin më të lartë”, duke treguar detaje të sulmit.
“A kreu dikush gjenocid më 7 tetor? Ky ishte gjenocid në nivelin më të lartë. Ishte vrasje, gjenocid – quajeni si të doni. Por, foshnje të vogla u prenë për midisi. Njerëzve u janë prerë duart, u janë prerë kokat. Edhe kjo është gjenocid, mendoj”, tha 79-vjeçari.
Të paktën 65.141 persona janë vrarë në Gaza dhe 165.925 janë plagosur që nga fillimi i sulmit izraelit në tetor 2023. Besohet se mijëra të tjerë janë ende të varrosur nën rrënoja. Shumica e organizatave ndërkombëtare, trupave të pavarura dhe ekspertëve botërorë kanë paralajmëruar se Izraeli po kryen me vetëdije gjenocid në Gaza.
Gjithashtu, Trump ka pohuar se në Gaza janë ende gjallë më pak se 20 pengje izraelite.
Ai gjithashtu mbrojti vendimin kontrovers të Izraelit për të zgjeruar prezencën ushtarake në qytetin e Gazës, duke pretenduar se operacione të tilla mund të çojnë në lirimin e pengjeve.
Lideri amerikan deklaroi se janë vrarë mes 32 dhe 38 pengje që Hamasi i mban në Gaza, dhe se më pak se 20 pengje janë ende gjallë.
“Shumë njerëz kanë vdekur në ato tunele të tmerrshme; shumica janë në tunele”, tha Trump.
I pyetur për zgjerimin e operacioneve në qytetin e Gazës dhe ndikimin e tyre mbi pengjet, Trump u përgjigj “ndoshta janë në rrezik më të madh. Por gjithashtu mund të lirohen për shkak të kësaj… Në luftë ndodhin shumë gjëra të çuditshme. Ka shumë rezultate që nuk do të mendoje kurrë se do të ndodhnin”.
Shërbimi izraelit i inteligjencës ka bërë të ditur se rreth 20 nga 48 pengjet që janë ende në duart e Hamasit janë gjallë, megjithëse familjet e pengjeve janë shprehur kundër sulmeve në qytetin e Gazës – nga frika se operacionet mund të çojnë në vdekjen e të dashurve të tyre.