Si të mblidhni veten kur një histori merr fund? Nga t’ja nisni për t’u ringritur në këmbë dhe për të filluar një jetë të re vetëm?
Me kohën, me një moshë më të pjekur dhe me të edhe lloji i marrëdhënies që merr fund…e bën çështjen më të komplikuar sepse me siguri kishit plane për të ardhmen, pritshmëri, dëshira për t’u njohur me familjet dhe madje edhe një shtëpi së bashku.
Të gjitha këto elemente peshojnë në ndjesitë që lë pas një ndarje, pavarësisht nëse ju kanë lënë apo ishit ju që e donit ndarjen.
Sigurisht, nëse e keni marrë ju vendimin për t’u ndarë është më e lehtë sepse keni pasur kohë të mendoheni më parë, por në çdo rast nuk është e thjeshtë. E vetmja gjë e sigurt është që doni të rifilloni përsëri nga diku, por nuk e dini se si.
Në këtë artikull do të lexoni katër këshilla për të gjetur qetësinë pas përfundimit të një dashurie.
Filloni duke sqaruar idetë për ndjenjat që keni
Çdo marrëdhënie dashurie ka një histori. Ka nga ata që janë ndarë dhe pyesin se si të rifillojnë përsëri nga e para, ka nga ata që kanë ngecur dhe e kanë të vështirë të kuptojnë se si të dalin nga tuneli i vuajtjes dhe nga ata që jetojnë brenda një vorbulle dhe dëshirojnë t’i thonë ‘stop’ këtij çifti dinamik që nuk funksionon më.
Në të gjitha rastet, emëruesi i përbashkët është ta pyesni veten se çfarë po ndjeni: zemërim? Trishtim? Lehtësim? Boshllëk? Pyeteni veten në lidhje me emocionet që po ndjeni për të parë gjithçka më qartë: është hapi i parë, themelor për t’u ringritur në këmbë.
Mos u nxitoni të ndiheni mirë
Të ndihesh mirë menjëherë pa kaluar nga ndjenjat e dhimbshme, është joreale. Nëse keni investuar një pjesë të vetes në këtë marrëdhënie dhe nëse keni investuar gjithashtu ndjenjat tuaja, të paktën për një periudhë kohe, emocionet e dhimbshme dhe dhënia e mundësisë për t’i shfryrë ato, është një proces i domosdoshëm për trurin. Jetojini këto emocione dhe mos e merrni me nxitim.
Në procesin drejt qetësisë, ekziston një kalim i detyrueshëm përmes dhimbjes
Kthejeni rutinën tuaj me kokë poshtë dhe krijoni një jetë të re që është vetëm e juaja. Pasi mbaron një dashuri jeta e përditshme ndryshon dhe kjo është e pashmangshme. Ju do ta gjeni veten duke menaxhuar ritme të reja dhe duke zbuluar resurse që duket se i kishit varrosur.
Filloni përsëri aktivitetet që ju pëlqejnë, kërkoni miq të rinj, regjistrohuni në kurse ku mund të ndërtoni marrëdhënie të reja, kujdesuni më shumë për trupin tuaj, blini rroba të reja. Me fjalë të tjera, guxoni, shkruan Class.
Jini iniciatorë, por edhe tolerantë
E gjitha kjo lëvizje e brendshme përfshin shumë përpjekje, por do t’ju bëjë të zbuloni një pjesë të re nga vetja. Nëse i bëni gjërat duke ndërmarrë hapa të vegjël, do ta rigjeni veten duke lulëzuar përsëri. Në më pak kohë se sa mendoni, marrëdhënia juaj do të marrë formën e një kujtimi dhe përvoje përmes së cilës do të keni njohur një pjesë themelore të personalitetit tuaj. /Telegrafi/