Katër të rinjtë që humbën jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në aksidentin e rëndë në aksin Fushë-Krujë Vorë, në Fushë-Prezë, janë identifikuar.
Ata janë Enejdi Laçi, Erildi Laçi (vëllezër), Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi. Të rinjtë, të moshës 20-25 vjeç, udhëtonin me një automjet tip ‘Benz’, kur përplasja e fortë me një betoniere shkaktoi shpërthimin e makinës dhe zjarrin, duke i marrë jetën atyre.
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:50, në fshatin Fushë-Prezë dhe pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve nga Kamza, nuk mundi të shmangej tragedia pasi makina “Benz” e të rinjve ishte me impiant gaz-benzinë.
Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, një 24-vjeçar, në fillim u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Megjithatë, ai u arrestua nga policia dhe u shoqërua në Komisariat për hetime të mëtejshme.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.