Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka konfirmuar se edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës do të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.
Deputeti i LVV-së, Arben Vitia, tha se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar, pavarësisht se Kuvendi ka dështuar të zgjidhet në shtatë përpjekje të mëparshme, për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme.
Në katër raunde votimi deri më tani, Haxhiu ka siguruar vetëm 57 vota, katër më pak se minimumi i kërkuar prej 61 votash.
Elbert Krasniqi, kryetar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRD), deklaroi se deputetët e komuniteteve pakicë janë të gatshëm të mbështesin kandidaturën e LVV-së, por theksoi se ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë koalicioni me Listën Serbe.
Nga ana tjetër, Mefail Bajqinovci i LVV-së u bëri thirrje partive opozitare që të reflektojnë dhe të votojnë për të zhbllokuar krijimin e institucioneve, duke rikujtuar se posti i kryetarit të Kuvendit u takon fituesve të zgjedhjeve.
Në prag të seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha shkurt për gazetarët: “Ishalla lëviz diçka, ndonjë kandidat”, duke lënë të kuptohet për mundësinë e një ndryshimi në propozimin e LVV-së.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Peci, theksoi se diskutimet kanë qenë të vazhdueshme, por vendimi final pritet të merret në votim. Sipas tij, Kosovës i duhen institucione funksionale sa më parë.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha se partia e saj nuk ka marrë asnjë ftesë për diskutime nga Vetëvendosje dhe konfirmoi se AAK nuk do ta mbështesë kandidaturën e Haxhiut.
Bekë Berisha nga AAK gjithashtu shprehu skepticizëm për suksesin e seancës, duke thënë se përgjegjësia bie mbi secilin deputet individualisht.
Seanca për konstituimin e Kuvendit tashmë ka nisur, ndërsa mbetet të shihet nëse Vetëvendosje do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme për të emëruar kryetaren dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.