Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sonte ndeshjen ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45, shkruan Gazeta Express.
Siç dihet, të gjitha biletat janë të shitura – andaj edhe atmosfera nga “Dardanët” nuk do të mungojë, si dhe përkrahja e tyre maksimale.
Përkrahje nga tribunat do të ketë edhe Zvicra. Tifozët zviceranë kanë blerë gjithashtu të gjitha biletat që u takojnë atyre.
Federata e Futbollit e Zvicrës ka konfirmuar se rreth 700 tifozë do të jenë në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kujtojmë se sonte do të jetë përballja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Zvicrës.
Kosova është e pesta dhe e parafundit në Grupin I me 3 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia një pozitë më lartë.
Në këtë grup prin Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 sosh. Izraeli është i treti me 7 pikë. Andorra është e fundit me vetëm 1 pikë.