20 mijë euro shpërblim janë ofruar gjatë ditës së sotme për informacione që mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së tre personave në Deçan.
“Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit Albin Kurti.
Në njoftim thuhet tutje se Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin apo kryerësit e kësaj vepre kriminale.
“Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit”, thuhet tutje në njoftim.
Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:
Tel:-080019999 ose -192, dhe në e-mail: [email protected]