Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Për një rast të tillë, sot është zhvilluar aksion, me ç’rast janë arrestuar një zyrtar policor dhe dy qytetarë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një zyrtar policor të Stacionit Policor Jugu, i cili është prangosur, nën dyshimin për veprën penale ‘organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Përveç tij, siç mëson Sinjali, deri më tani në pranga kanë rënë edhe dy qytetarë, që po ashtu dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.