Në gjashtë vjetorin e pranimit të FFK-së, në FIFA, kryetari i shtëpisë së futbollit kosovar, Agim Ademi ka uruar futbolldashësit tanë. 13 maj, 2016 është data kur Kosovës iu hapën edhe dyert e shtëpisë së madhe – FIFA. Një datë kjo sa e rëndësishme, po aq e paharrueshme e historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por në përgjithësi për shtetin e Kosovës.
Një datë, e cila nuk do të ishte e tillë pa vazhdimësinë e garës, punën e palodhshme të shumë punëtorëve sportivë, mjetet e shumta të donatorëve dhe sakrificën e shumë gjeneratave, që përkundër vështirësive e maltretimeve në kohën e okupimit dhe më pas edhe kushteve të vështira financiare pas luftës, arritën që ta mbajnë gjallë futbollin dhe ta jetësojnë ëndrrën e një populli të tërë.
Në këtë ditë të veçantë, falënderoj të gjithë kontribuuesit, gjeneratat e futbollistëve, si dhe drejtuesit e zyrtarët e FFK-së e të klubeve nëpër të gjitha etapat, e që me punën e përbashkët arritëm që shtetin tonë ta përfshijmë në familjen e madhe të futbollit botëror.
Sot, gjashtë vjet pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, Kosova ka përvojën e duhur dhe është vlerësuar si storie suksesi. Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe kemi pasqyruar vlerat e futbollit dhe të kulturës sonë sportive.
Duke iu falënderuar UEFA-s e FIFA-s kemi realizuar shumë projekte, të cilat ia kanë mundësuar të rinjve të Kosovës që ta kenë më të lehtë aktivitetin e tyre në futboll, teksa në vazhdimësi po punojmë në edukimin e kuadrove të reja dhe masovizimin e futbollit.
Gjatë tërë këtyre viteve kemi dëshmuar se jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur se futbollin tonë e presin ditë edhe më të lavdishme, pasi edhepse jemi vend i vogël e kemi përkushtimin, vullentin, talentin dhe potencialin për gjëra të mëdha.
Futbolli ynë ka shënuar rritje si në nivelin e klubeve edhe në atë të kombëtareve. Sivjet për herë të parë do të përfaqësohemi me katër klube në garat evropiane dhe për herë të parë kampioni ynë shkon direkt në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Ndërkaq, me ekipin kombëtar kemi shpresa të mëdha për rrugëtim tjetër të suksesshëm në Ligën e Kombeve që nis në qershor, teksa po vazhdon puna e mirë për suksese edhe në ekipet e tjera zinxhirë në të dyja konkurrencat.
FFK do të vazhdojë që së bashku me UEFA-n, FIFA-n, institucionet vendore dhe me klubet ta implementojë strategjinë e saj për ngritjen e mëtejme të imazhit dhe cilësisë së futbollit në vendin tonë në të gjitha aspektet.
Urime e na priftë e mbara!