Një ditë pas konferencës për shtyp të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – i cili njoftoi se kanë informacione solide nga inteligjenca kosovare dhe ajo e aleatëve rreth planeve të formacioneve paraushtarake të Milan Radojiçiqit për të kryer edhe sulme të reja në veri të Kosovës, në konferencë për shtyp në Beograd doli edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – i cili nuk i trajtoi këto deklarime të Kurtit, por iu përgjigj deklarimeve të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, se vetëm gjatë vitit në pjesën veriore të vendit ndaj Policisë së Kosovës kanë ndodhur mbi 100 sulme.
Vuçiq – duke mos i mohuar as pohuar shifrat dhe deklarimet e Sveçlës ndaj Policisë së Kosovës – mohoi një tjetër gjë: të drejtën e tyre për të operuar policisht në veri të Kosovës, duke u thirrur në ujdinë e Brukselit të 2013 sipas të cilës policia në ato zona duhet të pasqyrojë kompozitën etnike.
“Thanë që i sulmuam 114 herë. Nuk ka kurrëfarë baze ligjore që ata të qëndrojnë në veri të Kosovës si forcë sigurie. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, policia rajonale përbëhet nga serbë dhe ata propozojnë drejtuesit. Kjo nuk ishte rasti”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Në lidhje me Marrëveshjen Bazike, Vuçiq la të kuptojë – duke e trajtuar marrëveshjen jo në tërësinë e saj – se do të implementojë pjesëza të saj por jo krejt atë; në të njëjtën kohë duke fajësuar Kurtin për moszbatim.
Megjithatë, sipas tij, Serbia pret themelimin e Asociacionit “para së gjithash”.
“Albin Kurti nuk dëshiron të zbatojë asnjë marrëveshje, dhe Serbia do të zbatojë krejt çka kemi thënë, por para së gjithash presim themelimin e Asociacionit”, siç e citoi “Novosti”.
Vuçiq, po ashtu, tha se sa i përket zbatimit të pjesëve të njohjes së dokumenteve, vulave doganore, (etj) që parashihen në Marrëveshjen Bazike, ai mendon që ato të jenë të trajtës së njohjeve të letërnjoftimeve vitin e kaluar me “disclaimer”; ku në pikat kufitare shënohej se kjo “nuk do të thotë njohje”.
“Në lidhje me krejt çfarë kemi bërë, prej letërnjoftimeve dhe targave, te gjithçka tjetër, në mëynyra të ndryshme, ne gjithmonë kemi provuar kompromis. Do të bëjmë më të mirën edhe në të ardhmen…por gjithmonë do t’i kemi me disclaimers, që ta kenë të qartë Serbia se nuk e njohim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq, për ta bërë edhe më të qartë se nuk do të zbatojë Marrëveshjen Bazike, përkatësisht pjesën kryesore të saj – Nenin 4 – tha se Serbia “nuk do të nënshkruajë çfarëdo dokumenti që do të thotë ndihmesë ose mbështetje për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
Vuçiq po ashtu i referua një teksti në median “Albanian Post” rreth takimit të Kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe Njësitit Special Intervenues, ku pretendohet se Kurti u ka thënë se “s’keni bërë gjë në Banjskë…i keni vrarë 3 me snajperë” për ta përdorur përgjigjen e pretenduar të medias se “i kanë thënë” NjSI-së se “jo të gjithë janë vrarë veç me snajperë”. Këtë e shfrytëzoi për ta përdorur në funskion të pretendimeve të Serbisë se disa prej terroristëve serbë që sulmuan në Banjskë “janë vrarë në gjakftohtësi dhe pasi janë dorëzuar” kësisoj duke kërkuar të shohin autopsinë.