Serbia tanimë është vënë me shpatulla për muri, pas Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të zbatimit të saj. Paralajmërimi se ky aneks do të vendoset në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian, ka shqetësuar pushtetin në Beograd. Për më tepër, vendi fqinj ndodhet në fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.
Nëse Brukseli vendos anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara si kusht për Serbinë, në negociatat për anëtarësim në Bashkimin e Evropian, kjo do të thotë se unioni nuk e dëshiron Serbinë pjesë të saj.
Kështu tha presidenti i Serbise, Aleksandar Vuçiq, pas njoftimit se nga Serbia do te kërkohet përfshirja e marrëveshjes se Ohrit ne Kapitullin 35, i cili monitoron progresin ne dialog. Por, analistët deklarojnë se menjëherë pas arritjes së marrëveshjes se Ohrit, u njoftua se ky Kapitull do të ndryshohej me elemente të zbatimit.
“Qëndrimin e Vuçiqit mund ta shikojmë ose si deklarate e dhënë në fushatën parazgjedhore, ose e lidhur me ate qe ai tha me heret se disa pika të marrëveshjes janë të papranueshme për Serbinë duke referuar per anëtarësimin e Kosovës në OKB, e cila nuk kufizohet nga vetë marrëveshja. Pra, mbetet e panjohur nëse Serbia e pranon ose jo marrëveshje. Besoj se shpejt do të kemi përgjigje, si dhe për përmbajtjen e Kapitullit 35, i cili nuk ka dyshim se do të ndryshohet”, thotë Dragisha Mijaçiq, Koordinator i Kapitullit 35 NKEU.
Një pjesë e opozitës mendon se zyrtarët më të lartë evropianë kanë treguar qartë se marrëveshja e Ohrit është kusht për integrimin evropian e Serbisë.
“Cila është alternativa nëse nuk pranohet plani i Perëndimit. Është e nevojshme t’i shpjegohet qytetarëve se duhet ta pranojmë përfundimisht planin perëndimor për Kosovën, dhe jo vetëm me fjalë siç e pranoi Vuçiqi, e më vonë e mohoi në Serbi dhe filloi për ta mohuar në komunikim me BE-në. E ardhmja jonë e afërt varet përmes refuzimit ose pranimit të këtij plani”, thotë Zoran Vulletiq, nga Forumi Demokratik Qytetar.
Lidhja e marrëveshjes për normalizimin me integrime evropiane është paraparë me vetë aneksin e Ohrit. Tani mbetet të shihet se cilat do të jenë obligimet e Serbisë . Ndërkohë, Serbia është në fushatë elektorale, për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.