Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë në Bruksel. Ai ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të BE-së.
Kurti ka thënë para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Unë nuk mund të marrë pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vijë në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari, Borrell, nga mesi i muajit maj ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se refuzimi i Kurtit është parimisht vendim i mirë dhe një shembull se si organizohen takimet midis palëve.
“Parimisht është vendim i mirë dhe një shembull se si organizohen takimet midis palëve. Kjo për faktin se takimet pa konsultime paraprake nuk duhet të pranohen nga pala e Kosovës në takime me palën serbe. Vetëm konsultimi i njëanshëm i z. Borrell me palën serbe dhe caktimi i takimit, pa e konsultuar palën e Kosovës, është nënshtrim, injorim dhe denigrim i pozitës së barabartë”, është shprehur Kelmendi.
Sipas tij, rol me rëndësi luan edhe caktimi i temave në konsultim e jo me imponim ndaj palës së Kosovës, derisa ka shtuar se Kosova si Republikë e ka Kushtetutën dhe ajo nuk lejon organizim tjetër politiko-organizativ e ekzekutiv.
“Ndoshta kështu është mësuar z.Borrell dhe Lajçak me takimet midis palëve në të kaluarën. Mirë është se ndalet ky trend dhe ajo që është më kryesore, është fakti, i caktimit temave në konsultim dhe jo në imponim ndaj palës së Kosovës. Po kështu duhet që nga Prishtina të sqarohet UE-së se për çka mund të dialogohet me palën serbe. Kosova si Republikë e ka Kushtetutën dhe ajo nuk lejon organizim tjetër politiko-organizativ e ekzekutiv. Shteti ynë është unitar dhe ka dy nivele që funksionojnë. Nivel tjetër të pushtetit nuk lejohet këtu në Republikë. Mbi këtë bazë përfaqësohet Kosova jashtë vendit”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.